Faqja kryesore
Reviste  kulturore  artistike 0n - line    E mail:info@logos-albania.com

Start në dëborë

Roland BEQIRAJ       

   Moti ishte i mirë.Ata kishin ecur për më tepër se një orë që të mbrrinin në vendin e skive.Ora shënonte dymbëdhjetë e tridhjetë minuta.Gruaja megjithëse ishte e lodhur,nuk e jepte veten,po kështu edhe djali.Rrugës që zgjati më tepër se një orë, ata thuajse nuk folën fare.Edhe ato pak fjalë që shkëmbyen me njëri- tjetrin kishin si temë sportin e skive.Të dy kishin lindur në qytete ku bora është e pranishme të paktën tre muaj në vit.Kujtonin secili atë kohë.Djali dukej më nostalgjik.Kjo nuk ndodhte me gruan.Ajo megjithëse e pëlqente borën,nuk donte të rikthehej shumë vite pas.Kur mbrritën në start ata ulen mbi dëborën e ngrirë.Dielli filloi të shndriste dhe gruaja vendosi syzet e diellit.Djali, katër vjet më i vogël,nxorri nga çanta e shpinës termusin dhe mbushi dy gota plastike me çaj.
    - Do edhe limon?
    Gruaja bëri një shenjë pohuese me kokë dhe në heshtje filloi të rrufiste çajin e ngrohtë.Më pas vërejti djalin që po hulumtonte vendin e rrezikshëm ku do të kalonin.Gruaja e vuri re dhe me ton të ftohtë i thotë :
    - Ke frikë?
    - Nga çfarë të kem frikë ?- U shtir djali
    - Jo flas për frikën në përgjithësi – qeshi ajo.
    - Ah,po, kam patur frikë kur kam qenë i vogël.
    - Po tani?
    - Jo dhe aq shumë.
    - As nga qentë – e  ngacmoi ajo
    - Nga qentë po, kam frikë edhe tani. Për mrekulli kam shpëtuar nga një xebo që ishte sa një gomar.
   - Nuk ka qen të jetë sa një gomar.
   - E di që nuk ka ,por fjala që vjen, ai qen ishte vërtet i madh.
   Heshtje.Filluan të pinin sërisht çajin që kishte filluar të ftohej.Ishte e dielë dhe gruaja kishte shprehur dëshirën që ata të shkonin për të bërë ski.Kishin mëse dy javë që ata takoheshin rrallë, megjithatë takoheshin.Kjo për djalin do të thoshte shumë, por gruaja i betohej se nuk do të thoshte asgjë.Djali kishte vendosur të braktiste naivitetin dhe nuk besonte  më si më pare tek ajo.Djali vështroi orën.Asaj i tërhoqi vemendjen veprimet e tij dhe fillon sërisht t’a ngacmojë si për të vazhduar lojën e nisur më parë.
   - Po tjetër gjë kush të frigon më shumë?
   - Gjarpërinjtë, - tha djali, - më kallin datën edhe kur i shoh në ato dokumentarët bajatë.Dikur më ka kafshuar një gjarpër por fatmirësisht ishte nga ata të ujit.
   - Gjarpëri të pickon,nuk të kafshon,- qeshi gruaja.
   - Është gjarpër nuk është mushkonjë,- tha djali.
   Gruaja vendosi buzën në gaz.Edhe djali qeshi.Ai u duk i kënaqur që biseda po zhvillohej sipas parashikimeve të tij.Ajo ngjeshi më fort kapuçin në kokë.E dinte se nuk e priste një dhomë e ngrohtë hoteli  dhe lojërat erotike, të cilat ai mundohej t’i improvizote në çast.Pikërisht për këtë ishte i vendosur ta çonte gjithçka në fund.
    Ajo mori një pamje serioze dhe iu drejtua :
    - Kaq shumë të pëlqen që të jesh fëmijë?
    - Është një moshë që na pëlqen të gjithëve ,- tha ai,-veçse ne me mendjelehtësi mundohemi ta hedhim tej.Ne mundohemi që për hir të etikës dhe mendjemadhësisë të mos i themi gjërat sinqerisht.
   - Nuk e dija që isha dashuruar me një fëmijë.E di se je disa vjet më i vogël,por jo fëmijë.
   - Ti nuk do që të shkosh ndonjëherë tek gjërat e braktisura?
   - Vërtet je fëmijë,- i tha ajo dhe u ngrit nga vendi duke i thënë,- Eja!
   Ajo shtrëngoi rripat më tepër  si për të qenë më e sigurtë.Kurse djali u ngrit menjëherë dhe hodhi në sup çantën e shpinës.Dëbora kishte filluar të shkrinte.Në horizontin gri mezi dukej qyteti.
 
                                                        *  *  *
 
   - Përse ty nuk të pëlqen, - i thotë djali kur ajo qëndroi papritmas  pranë një shkëmbi.
   - Jo.
   - Me sa duket do të kesh kaluar një fëmijëri të lumtur.
   - Qënke vërtet i çuditëshëm sot.
   - Apo ke frikë  të kthehesh në fëmijëri...!
    Djali po e shihte hetueshëm.
   -  Tani shumë gjëra do të na duken vërtet marrëzira.Nuk mund t’u rikthehemi lojrave që i kemi braktisur njëherë e mirë.
   - Duket që vërtet  ke frikë.
   - Jo sa ty,- tha me tallje gruaja.
   - E vërtetë se unë kam frikë edhe nga ty.
   Gruaja heshti.Me pamje serioze ia ktheu?
   - Përse ?
   - Kam frikë se edhe sytë e tu nuk më shohin.
   - Sytë gjithmonë shikojnë.
   - Kush nuk sheh atëherë?
   Ajo nuk kishte më dyshime dhe s’ donte të gënjente.
   - Zemra,- u përgjigj ajo shkurt.
   Njëkohësisht ajo e hoqi shikimin nga djali dhe e hodhi në horizont,ku pas tij ishte vendi ku ata ishin njohur.
   - Duhet ta dish se edhe dashuritë më të mëdha e kanë një fund,jo kjo dashuria jonë që është e vogël si një fëmijë që grindet për gjithçka.
   - Mos doje të thoshe qyravitet?
   - Jo,unë kam respekt për veten prandaj nuk kam nevojë të shprehem rëndë,por kjo nuk do të thotë që ajo që thua ti nuk qëndron.
   -  Si?
   - Nuk di çfarë të them,por të lutem nëse nuk më kupton të paktën më dëgjo;kur të kam thënë se shpesh herë jeta e kalon edhe cakun e mërzisë duhet të më besosh.Njeriut kjo lloj mërzie i futet deri në poret e lëkurës së shpirtit.Ti duhet të kishe kuptuar diçka më parë...unë nuk doja të lëndoja...
   Fliste vetëm ajo,ndërsa djali dëgjonte,ose bënte sikur dëgjonte.Ai kishte kuptuar më tepër se ç’kishte menduar.Vështrimet e tij ishin të shpërqëndruara.Mendja e tij shëtiste gjetiu,atje ku edhe mendjet më të cekta niejnë frikë.
    - Sytë e tu të bardhë ... si kjo dëborë...- pëshpëriti ai.
    Ajo ishte dashuria e tij e parë dhe siç ndodh nganjëherë, atëherë kur mendon se ke gjetur dashurinë e vërtetë,përgatitu të biesh në krahët e dëshpërimit.
   -   Ti je shumë fëmijë,- i tha përsëri ajo.
    Por ai nuk e dëgjoi,iu duk sikur ajo i tha se nuk ka dashuri të parë por të fundit.Ai gjendej në këmbë dhe me forcën e krahëve rrëshqiti fort mbi dëborë ...

     Copyright 2007        Logos  Albania