Faqja kryesore
Reviste  kulturore  artistike 0n - line    E mail:info@logos-albania.com

E drejta e posaçme e shkrimtarit

        William Faulkner

Letra e parë e besimit, që duhet kërkuar prej kritikëve, është ideografi i tij për të mirën, pra ideografi i asaj që ai e konsideron shkrim të vlefshëm dhe, patjetër, ideografin e tij për të gjitha termat e tij të përgjithshme. Atëherë e dimë se çka përfaqëson ai. Ai nuk mund aq thjesht të rrijë në Londër e të shkruajë për pikturat franceze, të cilat lexuesit e tij nuk i kanë parë. Ai duhet të fillojë duke theksuar se kjo apo ajo vepër e veçantë atij vetë i duket “e mirë”, “më e mira”, “mesatare”, “e vlefshme”, “jo e vlefshme”. Sugjeroj një plan-program të të përpiktë, në vend të emiettements të së sotmes, në vend të ndarjes së lëndës në thërrmija që shumë shpejt thahen. Një plan-program për instruktorët, për studentët grindavecë që kanë dëshirë t’i hidhërojnë instruktorët e bezdisshëm, për njerëzit që nuk kanë patur kohë për kurse të sistematizuara të kolegjeve. Le ta quajmë bazë minimale për një arsimim të shëndoshë e liberal në letra (me “ndihma” franceze e angleze në kllapa).
Konfuci – në tërësi. (Meqë nuk ka version të plotë e të qartë në anglisht, njeriut i duhet ose të mësojë kinezçen, ose të shërbehet me versionin francez të Pauthier-it.) Homeri – në tërësi. (Përkthimet latine, Hugues Salel në frëngjisht, nuk ka version të kënaqshëm anglez, ndërsa Chapman-i mund të përdoret në referencë.) Ovidi – me poetët “personalë” latinë, Katuli-n e Propertius-in. (“Metamorfoza” e Goldingut, “Amores” e Marlowe-it. Nuk ka version të përdorshëm të Katulit në anglisht.) Libri i këngëve në provençal – me referenca të tërthorta të Minnesingers-it dhe të Bion-it, ndoshta nja tridhjetë vjersha gjithësej. Dante – dhe “rrethi” i tij, me fjalë të tjera, Dante dhe tridhjetë poezi të bashkëkohësve të tij, shumica nga Guido Cavalcanti.
Villoni – tërthorazi. Mund të shtohet ndonjë çështje tjetër mesjetare, mund të shtohet edhe ndonjë trajtë e përgjithshme e historisë së mendimit nëpër Renesancë. Voltair – domethënë, ndonjë ndërhyrje në shkrimet kritike të tij, jo përpjekjet e tij në prozë, në dramë e ndonjë mihje nëpër bashëkohësit e tij (në prozë). Stendali – së paku, një libër e gjysmë. Flaubert – (duke kapërcyer “Salambo” e “Tentacion”) si dhe Gonkurtët. Gautier, Corbier, Rimbaud.
Këta nuk do të na stërngarkojnë programin e studimeve tre a katëvjeçare.

* * *
Pas këtij hartimi të projekt-programit, ai mund “t’i ekspozohet pa rrezik” modernitetit apo çkadoqoftë tjetër në letërsi. Mendoj se ai do të synojë thelbin e as që do t’u veshë vlera qesharake veprave të intensitetit dytësor. Programi do të ketë lidhje referenciale dhe, ma merr mendja, do të varet nga ato.
Për qëllime të arsimimit të përgjithshëm, ne mund të kapërcejmë tërë studimin e totemizmit monist e të besimeve të kota për nja pesëdhjetë vjet së paku, ndërsa studimin e Shekspirit për tridhjetë, me arsyetimin se dija për këto tema deri tani është përhapur gjerësisht dhe se njeriu mund të përthithë njohuri të mjaftueshme për ta nga bisedat e rëndomta.
Është e qartë se kjo listë nuk përfshin emrat e secilit autor, që ka shkruar ndonjë poemë të mirë ose një oktavë a sestet të mirë. Lista është rezultat i mendimit të njëzet e shtatë vjetëve për këtë temë, si dhe një përmbledhje e konkluzioneve. Kjo mund të jetë arsyeja që lista të përfillet. Por ky nuk është shkak që të pranohet si përfundimtare. Po të përbihet e tëra, është pa dobi.
Për punë praktike në klasë, instruktorët duhet të nxisin studentët e tyre, të përpiqen për të nxjerrë ndonjë element që unë e kam përfshirë dhe ta zëvendësojnë me ndonjë më të vlefshëm. Lexuesi inteligjent do ta provojë këtë instiktivisht. Unë vetëm ngulmoj se, pa këtë minimum, kritiku nuk ka pothuaj kurrfarë shansi për gjykim të shëndoshë.

* * *
Nuk e shoh të arsyeshme të përsëris shumë shpesh a të fuqizoj tepër vërejtjet kundër të të ashtuquajturve kritkë, që flasin “rreth e rrotull çështjes”, që nuk i përkufizojnë termat e tyre dhe që nuk të thonë haptazi se filanë autorë janë të bezdisshëm. Detyrojeni njeriun, së pari, t’ju tregojë posaçërisht se cilët autorë i konsideron shkrimtarë të mirë, pas kësaj mund t’i dëgjoni shpjegimet e tij. Natyrisht, disa profesorë që kanë investuar tërë kapitalin e tyre intelektual, me fjalë të tjera, kanë shpenzuar shumë kohë në një periudhë krejtësisht të vdekur, nuk pranojnë se janë mashtruar dhe, shpesh, u mungon guximi që të shkëputen prej saj. Është fare e padobishme të shkohet pas tyre në hije.
Pranoj përgjegjësinë e plotë për ata, që kanë mbetur jashtë listës së mësipërme. Kam lënë rusët. Ani mirë! Lejojeni njeriun t’i gjykojë ata, pasi ta ketë takuar Charles Bovary-në; do t’i lexojë me një balancim më të mirë. Praktikisht kam lënë jashtë të gjithë shkarravistët, që përfshihen në plan-programet e letërsisë franceze nëpër universitetet amerikane, si Bossuet, Corneillet etj; por duke bërë këtë, nuk kam gabuar gjithaq pa qëllim. Kam prekur gjermanët në atë masë, sa shumica prej jush do ta konsideroni shkallë të pamjaftueshme. Në rregull. E bëra. Thashë atë që kisha për të thënë.

     Copyright 2007        Logos  Albania