Karaxhiç drejt Hages- Merr fund “çështja “ Karaxhiç
BEOGRAD-AFP - Rdovan Karaxhiç, ish-shefi politik i serbëve të Bosnjës, i akuzuar për gjenocid dhe krime lufte nga drejtësia ndërkombëtare, u arrestua të hënën nga shërbimet sekrete serbe, pas një ndjekjeje që zgjati 13 vjet.Një gjykatës i dha fund pyetjes paraprake të ish-shefit politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, hapi i parë drejt ekstradimit të tij për në Hagë, raportoi agjencia Beta news.
"Seanca e pyetjes mbaroi, deklaroi gjykatësi i hetimit Milan Dilpariç, i cituar nga agjencia. Megjithatë, Dilpariç nuk pranoi të flasë për detajet e marrjes në pyetje, të cilat i quajti "konfidenciale".
Sipas avokatit të Radovan Karaxhiçit, Svetozar Vujakiç, i cituar nga Beta news, ish-shefi politikue i serbëve të Bosnjës kishte deklaruar gjatë marrjes në pyetje se "ishte arrestuar të premten në një autobus" në Beograd dhe se që atëhere ishte "mbajtur në një qeli".Radovan Karaxhiç, i cili e kishte cilësuar këtë situatë si një "farse",kishte përdorur edhe "të drejtën për të mos u përgjigjur gjatë hetimit", sipas Svetozar Vujakiçit.Avokati i Radovan Karaxhiçit saktësoi se ish-shefi politik i serbëve të Bosnjës, i cili u vizitua nga një mjek, "ishte i qetë dhe i matur" gjatë hetimit, duke shtuar se ai mbahej në një njësi burgimi speciale të gjykatës serbe të ngarkuar me gjykimin e krimeve të luftës, në pritje të transferimit të tij drejt Gjykatës së Hagës.
Portret – Radovan karaxhic- Njeriu i Spastrimit etnik
BEOGRAD -AFP - Radovan Karaxhiç, ish-shefi politik i serbëve të Bosnjës i arrestuar dje nga forcat serbe të shërbimit sekret, u ndoq për 13 vjet nga komuniteti ndërkombëtar që shihte tek ai idhtarin e përgjakshëm të "spastrimit etnik" në ish-Jugosllavi.
I paditur për gjenocid, për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte nga TPI-ja e Hagës, ai mbahet veçanërisht përgjegjës, së bashku me laron e tij ushtarak Ratko Mlladiç, për masakrën më të rëndë të kryer në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore: eliminimin e afro 8 000 myslimanëve në Srebrenicë (lindje e Bosnjës) në korrik 1995.
Ai ndiqej gjithashtu për rolin e tij në rrethimin e Sarajevës, që zgjati 43 muaj dhe gjatë të cilit u vranë më shumë se 10 000 civilë.
Trupmadh, me flokët e thinjur gjithmonë të rrëmujshëm, Karaxhiç nuk ishte parë më në publik që pas arratisë së tij në vitin 1996.
I konsideruar si një monstër nga kroatët dhe myslimanët e Bosnjës, ai mbetet për një numër të madh serbësh si heroi i luftës që shkatërroi Bosnjen nga 1992-1995, pas shpalljes së pavarësisë së saj. I lindur më 19 qershor 1945 në fshatin Petnjica në Mal të Zi, Karaxhiç e kaloi fëmijërinë në Nikshiç, pranë kufirit me Bosnjën. Që në moshë të re ai shkruante poema, një hobi që do ta ruante së bashku me shkrimin e pjesëve teatrale apo muzikës popullore.
Babai i tij, nga i cili trashëgoi zellin nacionalist, u burgos pasi mori pjesë në lëvizjen e "çetnikëve" që luftuan si kundër nazistëve edhe kundër partizanëve komunistë të Titos gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Psikiatër në Sarajevë në vitet '60-të, Radovan Karaxhiç e filloi karrierën politike vetëm në vitet 1990, duke patur si idhull Sllobodan Millosheviçin, burrin e fortë të Jugosllavisë, që vdiq në mars 2006 në burgun e TPI-së në Hagë përpara përfundimit të procesit ndaj tij.
Pas rënies së Murit të Berlinit, era e ndryshimeve që përfshiu ish-Evropën komuniste mbërriti edhe në Jugosllavi, që u shpërbë kur secila prej gjashtë republikave të saj shpallën pavarësinë e tyre në vitin 1991.
Ashtu si Sllobodan Millosheviçi, Karaxhiç kërkoi atëhere të nxiste bashkimin e Serbisë me territoret e populluara nga serbët të Kroacisë dhe Bosnjës, ku serbët përbënin 44 për qind të popullsisë.
I ndihmuar nga gjenerali Ratko Mlladiç, Karaxhic "spastron" Bosnjën nga elementët e saj jo serbë. Më shumë se 1 milion persona u larguan kështu nga fshatrat e tyre ndërsa 200 000 të tjerë u vranë gjatë luftës.
Me marrëveshjen e Dejtonit, në fund të 1995, Karaxhiç fiton republikën " e tij"; Republikën e Serbëve të Bosnjës, ndërsa kroatët dhe myslimanët ndajnë gjysmën tjetër të vendit që u kthye në Federatën kroato-myslimane. Por në Dejton, Millosheviç e mbajti mënjanë, ndërsa në korrik 1996 atij i ndalohet të shfaqet në publik. Ai fillon atëherë jetën e klandestinit i ndihmuar nga një rrjet i fuqishëm besnikësh. I rrethuar nga truproja të shumta, ai ka përfituar gjithashtu edhe nga mbrojtja policore dhe sipas zërave, ka gjetur në shumë raste strehë në manastiret ortodokse serbe. Legjenda e tij si i pakapshëm vetëm sa rritej pas operacioneve të dështuara të NATO-s për ta arrestuar, ndërsa Departamenti i Shtetit kishte premtuar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për çdo informacion që mund të çonte në arrestimin e tij. |